Nga Fitim Salihu:
Beteja e Koshares. Prilli 1999. Brigada 138 e UÇK-së është një ndër brigadat çlirimtare në Operacionin “Shigjeta”. Komandohet nga 35-vjeçari nga Gjilani, Agim Ramadani, një piktor, poet e ushtarak që bart nofkën “Katana”.
Ushtarët e kësaj brigade thyejnë kufirin që ndau shqiptarët për gati një shekull. Aty është edhe “Katana” në momentin e shkeljes së gurit kufitar me shkronjat e gdhendura në cirilike SFRJ – Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë. Pak ditë më pas, “Katana” ra dëshmor pa e gëzuar lirinë. Por, emri i tij nuk vdes kurrë.
Në qendër të Gjilanit ngrihet madhështor shtatorja e birit të këtij qyteti, Agim Ramadanit “Katanës”. Ai është përjetësuar në bronz pikërisht duke e shkelur gurin e kufirit që kishte ndarë shqiptarët. Si një përkujtim që shqiptarët më kurrë nuk do të jenë të ndarë.
Kur ishte thyer kufiri, në Gjilan, në qytetin e “Katanës”, bëheshin një vit e pak që kish lindur një djalosh me emrin Mirlind Daku. Gati një çerek shekulli më pas, mbrëmë, Daku e shënoi golin e dytë për Shqipërinë. Ai festoi duke e zhveshur fanellën dhe duke shfaqur tatuazhin e tij – guri i pikës kufitare SFRJ i shkelur nga këmba e luftëtarit të lirisë dhe mbishkrimi Katana 138. I pyetur pas ndeshjes se kujt ia dedikon golin, Daku tha se ia dedikon dëshmorëve që kanë rënë për liri.
Në këtë fitore për mbamendje, 11-shja e Kombëtares Shqiptare përbëhej nga djelmosha nga të gjitha viset shqiptare – Republika e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia e Lugina. Shqiptarët sot janë bashkë. Nuk ka kufi me gjemba që i ndan. Janë më të fortë se kurrë në histori. Dhe jo vetëm në futboll.
Forca më e madhe e shqiptarëve sot është brezi i ri që me krenari i nderon dhe u këndon atyre që na mundësuan lirinë dhe shkërmoqën gurët e ndarjes mes shqiptarëve. 🇦🇱