Ekskursioni i maturantëve
Vendimi për ndalimin e ekskursionit për maturantët nga ana e Kryetarit të Komunës së Gjilanit ishte njëri nga lajmet që ngriti debat jo vetëm tek ta por edhe më gjerë, por siç duket ky vendim është rishikuar dhe është rivendosur ashtu siç ka qenë edhe më parë. Pra, prapë maturantët do ta realizojnë ekskursionin në Shqipëri.
Si Këshilltare Komunale e zgjedhur me votat e qytetareve, por si qytetare parasë gjithash pres për ti parë se cilat masa preventive do ti ndërmerr Komuna e Gjilanit, Drejtoria e Arsimit respektivisht ndaj dukurive negative të cekura në vendimin për anulim si: substancave narkotike, alkoolin dhe siguria fizike e maturantëve. Ndërsa sa i përket çminimit dhe shpenzimeve sipas zërave që dëgjojmë këto ditë është dukshëm më i larë dhe rrjedhimisht është i papërballueshëm nga ana e prindërve.
Vendimin e Kryetarit për ndërprerjen e ekskursionit deri në një masë mendoj se ka qenë i drejtë, por ardhja deri tek vendimi ka qenë i ngutshëm pasi nuk janë respektuar hapat në një debat më të zgjeruar nga ana e vet DKA-së, diskutim i hapur me të gjithë akterët si: Drejtorët e Shkollave të Mesme, Këshillat e Mësimdhënësve nëpër Shkolla, Këshillin e Nxënësve dhe pastaj me një diskutim më të sinqertë e të hapur edhe në Kuvendin Komunal, por siç duket deri tek ky vendim është ardhur ad-hoc me insistimin e një numri të prindërve të zgjedhur në Këshillin e Prindërve dhe pa e menduar mirë që rezulton me tërheqje nga ana e ekzekutivit.
Në fund, shqetësimi im është vetëm interesi i nxënësve për të cilët përgjegjës është ekzekutivi i komunës, DKA respektivisht nga e cila kërkoj që ti ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që ky proces të udhëhiqet drejtë e mirë e pa keqpërdorime.
Ardita Ukshini, asambleiste në Kuvendin Komunal të Gjilanit