Shkruan: Nexhat Buzuku
Ju prezantojmë: Murat Mustafa, profesor, autor trajtesash arsimore, njeri vlerash qytetare e njerëzore…
Personazhi i shkrimit të radhës është arsimues, edukator i përkushtuar, bashkëpunues, komunikues, i çiltër, që e sheh botën ashtu siç është, me përceptim kristal, me përpjekje për të ndryshuar e avansuar çdo ditë proceset e rrjedhat arsimore e jetësore, për t’i bërë më të mira, më të pranueshme, më vlerore e më kuptimplote.
Profesor Murati është mësimdhënës i lëndës së Gjeografisë në ShFMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ndryshe magjistër i kësaj fushe.
Për punën e tij, angazhimin përkushtues, përveç që jam i informuar hollësisht nga nxënësit që kanë kaluar mësimet te profesori në fjalë, kanë folur me konsiderata të larta edhe kolegët dhe koleget e tij të punës, prindërit e nxënësve dhe, pa harruar, edhe qytetarë të tjerë.
I përgatitur profesionalisht, i lexuar, i kompletuar në aspektin didaktik e metodik, pedagog i arrirë, i përmenduri i shkrimit të sotëm shquhet për etikë të mesimdhënies, për oratori, komunikim të rrjedhshëm e artikulues.
Lata, siç e quajnë kolegët dhe rrethi social, profesor Muratin, dallohet me shpjegimet e jashtëzakonshme në lëndën që jep, nē gjeografi. Kështu thonë ish-nxënësit e tij.
Lata ka qenë në shumë trajnime e pastaj trajner programesh (kurrikulash) arsimore në Gjilan e në nivel vendi.
Ai nuk është thjesht një vëzhgues, është kritik pozitiv ndaj defekteve në sistemin arsimor.
Ai është autor i shumë trajtesave e analizave në fushën arsimore.
I përkushtuar maksimalisht në mësimdhënie dhe angazhime të tjera që lidhen me procesin edukativ-arsimor, profesor Lata është personifikim i një arsimuesi të mirëfilltë: I çiltër, i prirur në urtësi (dije dhe mençuri), dhe i vendosur për të dhënë maksimumin e duhur në punë e në jetë.
Personazhi i shkrimit dallohet për kontributin që jep në shoqëri, për respektin që ka ndaj të tjerëve dhe respektin që merr nga të tjerët.
Është fjala për personalitet të plotë, me karakter të përkryer qytetar e njerëzor:
– Latën e njoha përmes nxënësve, së pari nga djali im që vijonte mësimet aty ku punon profesor Murati.
Shpeshherë më fliste për orēn e gjeografisë dhe e çmonte në superlativ lëndēn që e ligjëronte prof Lata.
Në ndërkohë Latën e njoha edhe unë personalisht.
Njeri i urtë, i talentuar, komunikues dhe bashkëpunues, njohës i shkëlqyeshëm i tematikave dhe problematikave arsimore.
Është kēnaqësi dhe pasuri për fushën e arsimit dhe për qytetin e komunën të ketë një kuadër perfekt, një intelektual tē mirëfilltë me dije profesionale e tē përgjithshme nga arsimi e jeta.
Isha i nderuar tē përzgjidhja këtë emër për rubrikën -Ju prezantojmë – sepse vërtet është profil i merituar si arsimues, si qytetar e si njeri!
Njerëzit e punës, e sidomos ata të arsimit, kur japin rezultate janë sikur pema që jep fruta!