Opinion: Prof. Flamur Hyseni
FFK – FEDERATA E FUTBOLLIT TË KOSOVËS
Futbolli është interes shtetëror për Kosovën. Mundet me qenë e vetmja veprimtari që mund ta unifikoj popullin. Ekipi Përfaqesues i Kosovës në futboll mund të luaj më së miri rolin unifikues. Është më shumë se sa fitore në fushën e futbollit kundër çdo ekipi përfaqësues.
Problemet në FFK janë të zgjidhshme. Euforia dhe presioni publik paushall nuk zgjidhin problem. Edhe në të kaluarën nuk kanë zgjidhur problem.
Ende nuk është bër një dekadë që futbolli kosovar është pranuar në FIFA dhe UEFA. Ambieciet janë të mëdha, përkushtimi është i madh me fjalë, por i pa dëshmuar me vepra.
Riorganizimi i FFK-së është i pa shmangshëm. Ndarja e përgjegjësive është hapi i parë profesional që duhet të bëhet. Për interesa shtetërore nuk behet vonë asnjë herë. Në Kosovë ka profesionist.
FFK, për së paku pesë vitet e ardhshme duhet ti ketë patjetër keto dy objektiva kryesore:
1. Një planprogram afatgjatë për zhvillimin e shkollave (akademive) të futbollit, të përgatitur prej ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar (FIFA dhe UEFA).
2. Strategjinë për kualifikim në EURO 2028.
Për momentin dhe trajneri më i mirë nuk bën punë. Trajneri, kushdo qoftë nuk mundet me organizu FFK-ën, nuk është punë e tij. Ekipi Përfaqësues nuk është klub. Ekipi Përfaqësues i Kosovës nuk e ka lluksin të ketë në radhët e tij lojtarë të pa zëvendësueshëm. Është fjala për futboll – sport kolektiv, jo për Xhudo.
Eksperimenti me tri ndeshjet e fundit kunder Izraelit, Zvicres, Bjellorusisë, tregoi se disa lojtarë të Superligës janë serioz.
Në FFK duhe ta kuptojnë sa më parë që duhet bashkëpunim me federatat e shteteve, si shembull: Shqipëria dhe Kroacia. Duhet urgjent me bashkëpunu me këto dy federata, që në dekadën e fundit kanë suksese konkrete si në menaxhim ashtu edhe në fushë të futbollit.
Problem kryesor për shumë federata të futbollit është mungesa e futbollistëve cilësor dhe profesionist. E bëjn natyralizimin e futbollistëve brazilian, afrikan, etj. FFK nuk e ka këtë problem. FFK nuk ka probleme financiare. FFK e ka problem vetem organizimin. Ky është problem që kërkon fillimisht qasje serioze dhe pastaj zgjidhje afatgjate.
Improvizimet asnjë herë nuk kanë qenë zgjidhje për asnjë sektor, ndërsa në sport demaskohen shpejt sepse treguesi më korrekt është rezultati. Edhe kur fiton je i pa kënaqur sepse nuk kualifikohesh për pak. Mos të flasim për rezultat baraz.