Profesori Arben Sahiti renditet si shkencëtari më i mirë sipas AD Scientific Index 2024
Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Ass. Dr. Arben Sahiti, është renditur si shkencëtari më i mirë në UKZ për vitin 2023, sipas AD Scientific Index 2024.
Sipas Prof. Ass. Dr. Arben Sahiti kjo e arritur është falë punës së vazhdueshme të tij dhe falë promovimit të hulumtimeve shkencore që bënë menaxhmenti i UKZ-së
Lista e shkencëtarëve më me ndikim në botë është përgatitur gjatë një studim të kryer nga një ekip profesorësh të Universitetit Stanford, që përfshin një renditje prej 7 milionë shkencëtarësh nga e gjithë bota, në të cilën janë të përmbledhura 22 fusha dhe 176 nën-fusha studimi.
Renditja e shkencëtarëve më me ndikim në botë për vitin 2023 është rezultat i një analize gjithëpërfshirëse, për përpilimin e së cilës janë analizuar një numër i madh treguesish, siç janë numri i përgjithshëm i punimeve shkencore të publikuara, citimet, citimet e indeksit- h, citimet e indeksit- i10, vitet e kaluara nga puna e parë shkencore e botuar nga shkencëtarët, si dhe ndikimi i përgjithshëm i shkencëtarëve në fushën përkatëse të hulumtimit shkencor.
Vetëm gjatë vitit 2023, Profesori Arben Sahiti ka publikuar një punim me titull: ‘’Ndikimi i faktorëve të brendshëm në menaxhimin riskut kreditor – Studim rasti i bankave tregtare të Kosovës’’, në Revistën Ndërkombëtare të Ekonomisë, Financave dhe Kontabilitetit të Aplikuar me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjithashtu ka prezantuar në tri konferenca shkencore me punimet e tij, një punim në konferencën vjetore të UKZ-së si dhe dy punime tjera në konferenca shkencore të organizuara në Turqi.
Ndryshe, Profesori Arben Sahiti është Profesor Asistent në Fakultetin Ekonomik, në fushën e Financave dhe Kontabilitetit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai është autor dhe bashkautorë i një numri të madh të publikimeve shkencore ndërkombëtare të botuara në revistat prestigjioze të indeksuara në databazat kredibile duke përshirë Scopus, po ashtu ka marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm të konferencave shkencore ku ka prezantuar publikimet e tij edhe në vende të ndryshme të Evropës.