Fillon rrugëtimi im politik me PDK-në
Të dashur familjarë, miq, shokë dhe afaristë të biznesit tim!
Sot, unë mora një vendim të ri, për të rrugëtuar në sferën politike, që t’ju them të drejtën, nuk e kisha edhe aq lehtë.
Ky vendim, sa do që ishte i vështirë për mua, ai erdhi i menduar mirë, për të marrë riskun tim, në duart e mia dhe në këtë drejtim për t’i realizuar qëllimet e veprimtarisë jetësore.
Pavarësisht se këtë rrugëtim nuk do ta kem të shtruar me lule, do të angazhohem që misionit tim politik t’i dal zot, kuptohet më ndihmën e shokëve dhe miqve të mi, të cilët deri tani më kanë shikuar nga një kënd tjetër të afarizmit dhe biznesit.
Të nderuar e shumë të respektuar familjarë, miq, shokë e dashamirë, ky vendimi im, nuk ka për t’ju zhgënjyer kurrë, gara ime në politikë, sa do që do të jetë një betejë e vështirë e në një mision jo aq të lehtë, jam i bindur thellë se do t’ia dalim në saje të vullnetit e dashurisë, që kishim dikur nëpër misione të tjera, këtë e them me krenari, duke besuar në vete dhe në ekipin tim.
Në këtë drejtim, një falënderim i veçantë shkon për familjarët e mi, të cilët gjithmonë më kanë përkrahur dhe mbështetur pa rezervë dhe pse përkushtimi për vajzat dhe bashkëshorten time nuk ka munguar asnjëherë, përçka i falënderoj nga zemra.
Arsyeja pse vendosa të merrem me politikë dhe të rreshtohem përkrah Partisë Demokratike të Kosovës, është si vijon:
E para: ish lidershipi i PDK-së, në krye me z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, sa isha kryetar i studentëve të Universitetit të Kosovës, çdo herë gëzoja mbështetjen e tyre për realizimin e kërkesave studentore, sidomos të atyre studentëve nga Anamorava, qoftë për rritjen e numrit në regjistrim, qoftë edhe për ngritjen e bursave dhe strehim në konvikt, pa lënë mangut edhe kërkesa të tjera, që ishin në frymën e ligjit të udhëheqjes shtetërore.
E dyta: Arsyeja pse unë me vullnet po dëshiroj të jem pjesë aktive te PDK, është programi i saj politik e pragmatik me një koncept qytetar, që e ka dëshmuar në betejat për pavarësinë e Kosovës, duke dhënë shembullin e një qeverisjeje të mirë me programe zhvillimore dhe me ngritje pagash në të gjitha nivelet e veprimtarisë shoqërore dhe politike. PDK, me lidershipin e saj, po e dëshmon edhe betejën për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe respektin për mbështetjen ndërkombëtare e sidomos për ndihmën amerikane, që nuk ka munguar asnjëherë.
E treta: Arsyeja e tretë e vendimit tim për t’u kyçur në PDK, vjen se kjo parti ka qenë gjithmonë me dyer të hapura për gjeneratat e reja, për njerëzit e rinj e kuadrot e reja garantues të sukseseve. Është e mirë dhe e besueshme kur në këtë parti ke njerëz të rinj dhe liderë të rinj siç është Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Arben Mustafa, Abelard Tahiri e shumë e shumë të tjerë.
Pas këtyre arsyeve, s’më mbetet tjetër të them veç urimit: Na priftë e mbara me këtë rrugëtim me PDK-në në ballë. Kjo do të jetë një sfidë e rëndë e një maratonë, por me rezultate dhe aspirata, për t’u ngjitur majave të lartë e të shikosh nga lart si ke arritur, kuptohet krah për krah me bashkëpartiakë, miq e dashamirë, që ia duan të mirën Kosovës dhe proceseve të saj euroatlantike evropiane.
Qoftë një vendim i mbarë dhe i suksesshëm!
Me Ju, sinqerisht, Selver Xhelili