Milot Rashica është shprehur i lumtur për fitoren dhe golin e tij të parë me fanellën e Besiktasit.
Reprezentuesi i Kosovës kontribuoi sonte me gol në fitoren ndaj Sivassporit me rezultatin 2:0, shkruan Gazeta Express.
Vushtrriasi luajti për 63 minuta, teksa ishte autor i golit të dytë në këtë ndeshje – të shënuar në minutën e 40-të.
Rashica pas ndeshjes u shpreh i lumtur për golin, fitoren dhe që është pjesë e Besiktasit.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të kthehen edhe më të fortë pas ndeshjeve të kombëtareve.
“Jam shumë i lumtur që jam në Besiktas. Jam i lumtur që shënova gol. Ishte e rëndësishme të marrim 3 pikë para tifozëve. Do të kthehemi edhe më të fortë pas pushimit ndërkombëtar”, tha fillimisht 27-vjeçari.
“Ne po përmirësohemi çdo ditë. Përshtatja e lojtarëve të rinj po bëhet më e mirë me praktikën. Jemi vetëm në fillim. Do të bëjmë shumë më mirë”, shtoi.
Rashica gjithashtu deklaroi: “Familja ime më shikonte nga tribuna. Gjithashtu ishte shumë e rëndësishme të festoja golin me ta”. /Gazeta Express/