Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani ka munduar Ulpianën e Lipjanit me rezultat 3:0 në ndeshjen e zhvilluar në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.
Ndonëse në dukje të parë me rezultat bindës, ndeshja ka qenë tejet e paqartë dhe e vështirë për ekipin vendas, që gjatë setit të parë po humbte me 4-5 pikë dallim por te rezultati 22:24, mysafirët humbën dy pikë për të marrë setin, i cili u vazhdua së tepërmi dhe ishte tejet dramatik dhe në fund u mbyll me rezultat 30:28 për Dritën.
Në setin e dytë vendasit ishin shumë më të mirë dhe e fituan me lehtësi 25:15 dhe sërish drama është rikthyer në setin e tretë, i cili është mbyllur me rezultat 25:23, për të shënuar fitoren e radhës të Dritës.
Ndeshjen e radhës KV Drita e luan në udhëtim kundër KV Ferizaj.
/kryelajmi.com