Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur më shumë se një barazim me Rumaninë, në takimin e vlefshëm për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.
“Dardanët” barazuan pa gola 0:0 me Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit I, shkruan lajmi.net.
Të besuarit e trajnerit Alain Giresse kishin iniciativën në këtë takim, duke krijuar disa raste.
Kosova në fakt gjeti rrjetën e golit në minutën e 69-të, por goli me kokë i Edon Zhegrovës u anulua pas rishikimit me VAR.
Mërgim Vojvoda paraprakisht kishte një mundësi të artë shënimi në minutën e 62-të kur pas një depërtimi fantastik hyri në zonë, dribloi disa kundërshtar por goditjen e këtij të fundit e priti portieri mysafir.
Vlen të përmendet se gjendja e fushës në stadiumin kryeqytetas nuk ishte më e mira. Futbollistët e dy kombëtareve hasën në vështirësi gjatë pasimeve dhe ndërtimit të aksioneve për shkak të ujit në disa pjesë të fushës.
Kësisoj, Kosova pas tri ndeshjeve në grup ka grumbulluar vetëm tri pikë dhe zë vendin e tretë.
Rumania me këtë pikë vazhdon të jetë në pozitën e dytë me shtatë pikë, ndërkohë lidere është Zvicra me nëntë pikë nga tri takimet.
Kosova tri ditë më vonë luan në Budapest kundër Bjellorusisë.