Mjeku nga Gjilani kujton tmerrin pas helmimit masiv të nxënësve në vitin 1989
Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, anestezilogu Ukshin Ismajli, ka folur enkas për Mediafokus.info për pengesat e mëdha në ushtrimin profesionit të mjekut gjatë regjimit të kohës, në veçanti për t’i dalë në ndihmë nxënësve të helmuar në vitin 1989.
Lajmin për këtë ngjarje të tmerrshme e mori teksa ishte duke hyrë në sallën e operacionit, pasi ishte i vetmi anesteziolog shqiptar në atë kohë.
“Unë kam qenë duke i përgatitur për të hyrë në sallë të operacionit kur na erdhi lajmi për helmimin e nxënësve. Ne kemi qenë 13 mjekë shqiptarë duke punuar në Spital Regjional dhe jemi munduar ta bëjmë më të mirën e mundshme. Nuk e pyesnim askë për t’i dalë në ndihmë nxënësve të helmuar”, thotë dr. Uka për portalin Mediafokus.info.
Dr. Uka e kujton një moment kur në një takim, në vitin 1990, janë përballur me etiketime të mëdha nga udhëheqja e policisë së asaj kohe, që e kishin marrë në menaxhim institucionin më të madh shëndetësor të regjionit.
“Na thanë ju jeni irredentista e fashista dhe na qortonin pse e keni bërë këtë e atë, unë iu përgjigja: jam anesteziolog, unë di të shpëtoj jetë të njerëzve dhe këtë ma ka mundësuar Zoti”, thotë Ismajli për Mediafokus.info.
Në po këtë vit, ai e merr ditarin në dorë, për t’u dhënë mësim nxënësve të vitit të parë të shkollës së mesme të mjekësisë, përkatësisht lëndën e anatomisë dhe fiziologjisë.
“Në klasë, përpos ligjërimit të lëndëve, u kam dalë ndihmë nxënësve që ishin helmuar. Nuk dua ta kujtoj kurrë këtë situatë”, ka thënë Dr. Ukshin Ismajli.