Pijet freskuese të gazuara janë një pije e preferuar për shumë njerëz, por gjithsesi nuk janë zgjedhja më e shëndetshme.
Konsumimi i pijeve me sheqer është i lidhur me një sërë problemesh shëndetësore. Efektet negative të konsumimit të pijeve të gazuara mund të shtrihen në një nga organet më të rëndësishme të trupit tuaj, veshkat.
Veshkat tuaja janë përgjegjëse për filtrimin e toksinës dhe rregullimin e ekuilibrit të lëngjeve, gjë që luan një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Konsumimi i tepërt i pijeve të gazuara mund të rrisë rrezikun e problemeve me veshkat, si sëmundjet kronike të veshkave dhe gurët në veshka.
Lidhja mes pijeve të gazuara dhe gurëve në veshka
Lidhja mes sodës dhe gurëve në veshka është një shkak serioz për shqetësim. Përmbajtja e lartë e fruktozës në pijet e gazuara me sheqer mund të çojë në rritjen e formimit të acidit urik dhe formimin e gurëve të oksalatit të kalciumit.
Një studim i vitit 2020 i publikuar në revistën “Urology Research & Practice” tregoi se konsumimi i shpeshtë i pijeve të ëmbla me sheqer lidhet me një rrezik më të lartë të formimit të gurëve në veshka.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që krijohet kjo lidhje. Një studim i mëhershëm i botuar në “Journal of the American Society of Nefrology” në vitin 2013 zbuloi se konsumi i pijeve të ëmbla me sheqer lidhej me një rrezik më të lartë të formimit të gurëve në veshka, ndërsa konsumi i kafesë, çajit, birrës, verës dhe lëngut të portokallit ishte i lidhur me një rrezik më të ulët.
Sëmundja kronike e veshkave dhe pijet e gazuara
Sëmundja kronike e veshkave (CKD) është një gjendje progresive dhe serioze që prek miliona njerëz në mbarë botën, shpjegon Instituti Kombëtar i Diabetit dhe Sëmundjeve Digjestive dhe Veshkave (NIDDK).
Është një gjendje e karakterizuar nga humbja graduale e funksionit të veshkave me kalimin e kohës, duke çuar në akumulimin e mbeturinave dhe lëngjeve në trup.
Gjatë viteve të fundit, ka pasur prova në rritje që tregojnë për një lidhje midis konsumit të sodës dhe sëmundjes kronike të veshkave.