10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar.
Mbi 5600 zyrtarë policorë kanë nënshkruar peticionin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, i cili u shqyrtua sot në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Kështu tha kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri, i cili shtoi se janë mbi 4700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe se të njëjtit kanë mbetur me invaliditet të përhershëm.
Teksa foli për kushtet e policëve, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri deklaroi se ka numër të madh të dorëheqjeve të pjesëtarëve. Ai lexoi edhe deklaratën e një polici që ka dhënë dorëheqje ditëve të fundit, ku theksoi se paga jo e dinjitetshme, shtesat policore e rrezikshmëria janë disa nga arsyet.
“Të gjithë ata që po japin dorëheqje vullnetare, po e dëmtojnë vet institucionin e sigurisë, për shkak se të gjithë janë profesionist të dëshmuar në punë. Parandalimi i vetëm për dorëheqje është plotësimi i kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës. Për këtë vit nuk kemi një statistikë të saktë, kemi diku rreth 10 pjesëtarë deri më tani, për muajin janar. Unë vetëm sa për kureshtje se pse shumica e zyrtarëve policor japin dorëheqje, unë e kam një dorëheqje që është dorëheqje taman origjinale, deklaratë e policit që e ka dhënë para disa ditëve”, deklaroi ai.
Ai shtoi se kërkesë e tyre mbetet që të krijohet një fond për të gjithë policët që kanë mbetur me aftësi të kufizuara.
“Kemi prej atyre rasteve që mbi 4700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kemi zyrtarë policorë që kanë mbetur me invaliditet të përhershëm, kanë mbetur në karrocë dhe nuk kanë mundur dhe nuk kemi një fond. Njëra ndër kërkesat që ka rrjedhur pas peticionit është edhe kjo, që të krijohet një fond për të gjithë ata që kanë mbetur me invaliditet të përhershëm. Ata realisht e marrin një pagë prej Policisë, aq ka mundësi buxheti i Policisë për t’i ndihmuar, përndryshe nuk kanë përkujdesje shtetërore”, theksoi ai.
Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai u shpreh se mosha mesatare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është 47 vjeç.
Ndërkaq, anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku tha se vet policia është dashur të bëjë presion për implementimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.
MESAZHI.COM