Ja postimi i plotë i Kryeministrit Albin Kurti:
Mbledhja e 178-të e Qeverisë, e parafundit për këtë vit, mbledhja me më së shumti vendime në këta 33 muaj qeverisje.
Mes 43 vendimeve, miratuam:
– 40 milionë euro buxhet shtesë për FSK-në. Buxheti i sivjetmë për mbrojtje, për herë të parë në historinë e ushtrisë sonë tejkalon 200 milionë euro, apo mbi 2% së BPV-së, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s;
– me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, miratuam shtesën e njëhershme prej 100 euro për mbi 280 mijë përfitues të skemave pensionale, krahas pensionit të rregullt mujor që marrin;
– shtesën e njëhershme prej 100 euro për të gjithë fëmijët, mbi 380 mijë, në Kosovë;
– 6.1 milionë euro për mbështetje bizneseve për qasje në financa për Pakon e Ringjalljes Ekonomike;
– 5 milionë euro për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë;
– 4 milionë euro ndihmë bizneseve dhe bujqve për rimëkëmbje nga vërshimet e ndodhura në Republikën e Kosovës; dhe
– ndarjen e mjeteve financiare për Radio Televizionin e Kosovës.
Themeluam:
– Grupin punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian; si dhe
– Mekanizmin e paralajmërimit të hershëm për monitorimin e trendëve të migrimit, për menaxhim të suksesshëm të procesit të liberalizimit të vizave.
Proceduam për Kuvend gjashtë projektligje për: sportin, rrugët, kontrollin e kufirit shtetëror, shërbimet private të sigurisë, noterinë dhe për aktet nënligjore të Qeverisë.
Aprovuam tri marrëveshje ndërkombëtare me: Bashkimin Evropian për programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”, Konfederatën Zvicerane për sektorin e ujërave, si dhe Bankën Gjermane për Zhvillim për energjinë solare.
Miratuam:
– Gjashtë projekt-rregullore, pesë për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe një për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
– Dy nisma për marrëveshje të kredisë për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, si dhe marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.
Aprovuam plotësim-ndryshimin e rregullores për shtesën e nëpunësit të sistemit shëndetësor.
Emëruam edhe tre anëtarë të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova, Sh. A..