Përmes një vendimi, Guvernatorja e shtetit, Gretchen Whitmer e ka shpallur 17 shkurtin 2024, si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në këtë shtet.
Në vendim thuhet se shteti i Miçiganit ka kënaqësinë t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve anembanë shtetit për të njohur 17 shkurtin 2024 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Në arsyetim thuhet se Kosova vazhdon të ruajë vlerat e sovranitetit dhe vetëvendosjes, dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës nënvizoi përkushtimin e saj ndaj idealeve demokratike, duke afirmuar statusin e saj si një demokraci e lulëzuar në komunitetin global.
Tutje thuhet se ende sot, “shqiptaro-amerikanët e Michiganit vazhdojnë të sjellin kulturën dhe traditën e tyre të pasur në shtetin tonë, teksa lulëzojnë kudo që banojnë, duke qenë anëtarë ndihmues të komunitetit, pronarë biznesi që punojnë shumë dhe profesionistë të përkushtuar”.
Po ashtu, thuhet se kontributi i Michiganit ka qenë i madh në mbështetjen e demokracisë në Kosovë duke ndihmuar në ruajtjen e paqes përmes anëtarëve të Gardës Kombëtare të Miçiganit që shërbyen në Kosovë si paqeruajtës.
“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Michiganit është unike dhe e forcuar nga vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit; shteti i Michiganit ka kënaqësinë t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve anembanë Michiganit në festimin e 16 vjetorit të ditës së pavarësisë së Kosovës”, u tha në vendimin e publikuar online nga Guvernatorja e shtetit të Michiganit, Gretchen Whitmer. INDEKSONLINE.NET