Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, gjatë ditës së sotme janë planifikuar të mbahen evente të ndryshme në shenjë përkujtimi të 60-vjetorit tërmetit katastrofal i cili e goditi Shkupin mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1963.
Nën moton e cila përkon me kohën e shkaktimit të tërmetit “Shkupi në pesë е shtatëmbëdhjetë”, Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut do të fillojë vazhdën e aktiviteteve përkujtimore.
Arkvi Shtetëror do të hapë ekspozitën digjitale “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit”, nëpërmjet objektivit të një ish-punonjësi të Qytetit të Shkupit.
Materiali video përmban mbi 300 fotografi dhe dokumente për ditën e tërmetit dhe për të gjitha ngjarjet deri në fund të vitit – ardhjen e ushtrisë, rindërtimin e qytetit me donacione nga republikat jugosllave dhe nga e gjithë bota, ditët e solidaritetit dhe të gjitha vizitat zyrtare të përfaqësuesve të shtetit.
Pasojat nga tërmeti
Nga dridhjet e mëdha të tërmetit me fuqi prej 6 ballë sipas shkallës së Rihterit, në Shkup humbën jetën 1.070 persona, ndërsa rreth 4 mijë të tjerë ngelën të lënduar.
Si pasojë e tërmetit u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale, duke u shkatërruar 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuar 28.000 të tjera.
Po ashtu, mbi 200.000 persona ngelën pa kulm mbi kokë.
Britania e Madhe, donatori më i madh i shtëpive të montuara
Me këtë tragjedi historike që i ndodhi Shkupit në shenjë solidarizimi u ngrit në këmbë e tërë bota.
Më 27 shtator të vitit 1963, Asambleja e Përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për t’i dhënë ndihmë Shkupit. Më 14 tetor, Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara njëzëri miratoi rezolutën për t’i dhënë ndihmë qeverisë së atëhershme jugosllave gjatë rikonstruktimit të Shkupit.
Megjithatë, Britania e Madhe, me 1.566 njësi banimi dhe 75.590 m2 sipërfaqe të ndërtuar bruto, ka qenë donatori më i madh, për nga numri i shtëpive të montuara nga ndihma ndërkombëtare.
Diku 13 vende dhe organizata kanë kontribuar në ndërtimin e 2.303 shtëpive të montuara, nga të cilat 1.566 (68%) janë nga Britania e Madhe dhe 737 (32%) nga 12 vendet dhe organizatat e mbetura.
Rindërtimi dhe zhvillimi i qytetit të Shkupit, pas 26 korrikut të vitit 1963, kryesisht është përqendruar në anën e djathtë të lumit Vardar dhe lagjet periferike të saj.
Nga ajo që mund të shihet sot e asaj dite shumë shtëpi dhe objekte pas tërmetit nuk u rindërtuan. Si pasojë e dëmeve që i shkaktoi tërmeti, autoritetet shtetërore të asaj kohe kishin vendosur rrënimin dhe jo revitalizimin e shumë objekteve kulturore.
MESAZHI.COM