Albin Kurti
Qeveria për rininë, sportin dhe shëndetin.
Në mëngjesin e ditës së sotme, në Podujevë filluam zbatimin e programit “Sport në Shkolla” i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme përmes pjesëmarrjes së rregullt të nxënësve në aktivitet fizik dhe sport.
Në gjysmëvjetorin e vitit të kaluar, programi kishte filluar fazën pilotuese me trajnimin e mësimdhënësve në sportin e basketbollit dhe të shahut. Ndërsa nga sot nisëm ushtrimet e rregullta sportive për nxënësit dhe furnizimin e shkollave me pajisjet e nevojshme për këto dy sporte, që ushtrojnë mendjen dhe trupin.
Programi “Sport në Shkolla” zbatohet brenda mjedisit shkollor dhe është i qasshëm e pa pagesë për nxënësit e Republikës së Kosovës. Në këtë fazë pilotuese, programi përfshinë 34 shkolla të 23 komunave të Republikës së Kosovës me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë fëmijëve.
Sporti dhe aktiviteti fizik janë baza e shëndetit, platformë e edukimit, ushqim për mendjen, qendër e rutinës dhe faktor shumë i rëndësishëm i mirëqenies së përgjithshme shoqërore.