Flamur Hyseni, profesor universitar, në cilësinë e një qytetari iu është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, letër që po e japim të plotë, si më poshtë.
Ja letra e plotë:
LETËR KRYETARIT TË KOMUNËS SË GJILANIT
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit,
Uroj të jeni mirë!
Fillimisht dëshiroj tua sqaroj se: Udhëheqja me komunën nuk është çështje politike, por, është çështje menaxhimi, lidershipi dhe kapaciteti qeverisës.
Dorëheqjen si mundësi, mos e konsideroni, se ju dëgjova një natë që e përmendët. Nuk është zgjidhje. Nuk ju arsyeton. Nuk mund ti ikëni përgjegjësisë së marrë me një akt dorëheqjeje. Vazhdo, ushtroje mandatin, lirohu prej partisë, nuk të kryen punë më partia, përkundrazi, të pengon. Je kryetar i një komune të madhe, që ka shumë probleme, prandaj: sillu si KRYETAR I GJILANIT.
Komuna e Gjilanit, tani është duke kalu nëpër një krizë institucionale, për shkak të papërgjegjësisë tuaj dhe ish bashkëqeverisësit, i cili ka ikë prej përgjegjësisë institucionale ose e keni largu ju prej përgjegjësisë institucionale. Sidoqoftë, gabimin e keni të përbashkët për këtë krizë institucionale, të cilën po e paguan me çmim të lartë qytetari i Gjilanit.
As ju dhe as ata nuk keni qenë korrekt dhe transparent me qytetarin gjilanas, se pse ndodhi kjo krizë, dhe pse e shkaktuat këtë krizë institucionale në Gjilan?
Ama, qytetari gjilanas e dinë sakt se ju dhe ata keni bër veprime ndaj njëri – tjetrit me stilin e pazargjiut të akshamit: “dushk për gogël”.
Qytetari gjilanas nuk ju ka votu, ju me shkaktu kriza institucionale në Gjilan, por, me udhëheq me komunën, e cila i ka me mijëra probleme të pazgjidhura në: arsim, shëndetësi, mirëqenie, hapësirë publike, planifikim hapësinor, infrastrukturë, ujë, kulturë, rini, sport, punësim, e shumë të tjera.
Çfarë duhet të bëni tani e tutje, si të gjindeni në këtë krizë?
E para, mos i dëgjo të ashtuquajturit “aktivist dhe militant”, sepse atyre u skadon afati rreth orës 22:00 të natës së ditës së zgjedhjeve. Nuk e përjashtoj mundësinë që këta nuk duan ju të udhëheqëni mirë, por, këta nuk mund të ndihmojnë asgje sepse u mungon përvoja dhe dija.
E dyta, ne, bashkëqytetarët e tu, e dimi që ju jeni i papërvojë, dhe nuk shquheni për ndonjë aftësi menaxheriale dhe lidershipi, së paku nuk e keni dëshmu deri tani. Por, arsyetimin e krizës duke e fajësu ish bashkëqeverisësin e keni të kotë, sepse nuk mundesh me fajësu dikend përderisa thuani se e keni largu – shkëputë marrëveshjen për bashkëqeverisje (ju dhe ata keni dëshirë ti thuani koalicion). Ndërsa, ata po thojnë që jemi largu prej bashkëqeverisje për shkak të paligjshmërive. Pastaj, i keni shkëmby disa akuza publike, në vend që me ju dhe ata te merret Prokuroria Themelore Gjilan.
E treta, të rekomandoj që të ndërmerrëni këto veprime, në ditët në vijim:
1. Të filloni të silleni me lidership si kryetar i komunës, sepse je kryetar i KOMUNËS SË GJILANIT (mundesh me përmirësu këtë dukshëm, mund të njoftoj se ku mundeni me kry shpejt dhe efikas një kurs bazik intenziv për lidership, të shtuneve dhe të dieleve, palexu libra).
2. Pasi që ta kryeni kursin intenziv për lidership, gjatë korrikut dhe gushtit (tetë senaca, nga dy orë akademike), në vjesht, ka mesi i shtatorit, të filloni me bisedat për “kohabitacion” me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend Komunal të Gjilanit, për një mundësi bashkëpunimi – emergjent, por, “papazare” personale me këshilltarët komunal të LDK, PDK, AAK, AKR, VATRA, TDPK, LS, që tua votojnë pakushte vendimet vetëm të rëndësishshmet, duke i lutë me mirësjellje, sinqeritet dhe kujdes për hirë të interesave të Gjilanit.
Hiqu idesë çka të thojnë atypari se, Kuvendi Komunal është i parëndësishëm. Nuk është ashtu. Ata/ato nuk e dinë, dhe dojnë me të shti “llugave”. Pastaj, kthehen dhe të akuzojnë të njëjtit.
Sa më parë thuaj shokut tuaj dhe mikut tim, Arianit Sadiku, të dorëhiqet prej pozitës së kryesuesit të Kuvendit Komunal. Nuk u takon juve ajo pozitë, ta marrin ata tjerët, dhe kështu ka gjasa me shpëtu shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, dhe për ju, kryetar, bëhet mirë sepse e vazhdoni mandatin përmes “kohabitacionit” me subjektet e përfaqësuara në Kuvend Komunal dhe “shpëton” Gjilani, së paku formalisht.
3. Me shku sa ma shpesh në Qeveri me lypë mbështetje më të madhe, sepse me KM jeni në një parti të përbashkët. “Theja deren përditë KM-ës, nxjerr naj sen për Gilan”. A po e sheh se në çfarë gjendje është GJILANI? Duhesh me u bë shumë merak. Lute KM, nëse është nevoja gjunjëzohu para tij, beso të kujton gilangjia. Puna jote është: çdo të dytën ditë me qenë nëpër koridore të qeverisë dhe ministrive duke lypë. Dëgjova, ka kohë që nuk ke qenë andej pari.
4. Fillo me ndejt së paku një here në javë me njerëz të mençur të Gjilanit. Ka shumë të tillë. Që ke problem me i gjetë dhe nuk i njeh, jam i gatshëm më të njoftu me së paku 20 prej tyre. Asgjë mos marrësh prej tyre, jam i sigurtë që ke me pa një vision ndryshe të mendimit për problemin dhe zgjidhjen e problemit.
5. Shmangiu gjuhës politike, nuk të kryen punë. Beso ato pak dalje nëpër tv nuk i ke të mira. E di, ta bëjnë rrafsh, ama, beso që ata/ato që ta bëjnë rrafsh nuk e kanë hallin tënd, por, të tyre, që me fitu simpatinë tënde. Sepse, edhe atyre para teje njëjtë ua kanë bër.
6. Je vonu me shkarkimin e drejtores së arsimit (ata që rrinë me ty i thojnë drejtoresha), të rekomandoj, që sa më parë me shkarku, dhe përgjegjësinë për arsim me marrë vetë. Nuk të duhet fare drejtor/e për arsim. Aty është situatë emergjente. Emërgjencat i menaxhon kryetari që ka votë të popullit.
7. Blej shërbime profesionale, por, edhe kërko shërbime të dijes në formë donacioni për komunën. Nëse nuk ka kush me të tregu që ke të drejtë, po të tregoj që mundesh me ble dhe me kërku donacion në emër të komunës.
Këto shtatë rekomandime, shqyrtoj për shtatë ditët e javës, janë elementare, për të tjerat, më të avancuara shohim pas shtatorit, dhe fillo me vepru. Gjasat janë me u përmirësu. Qeverisja është moment veprimi në çdo moment për të vepru. Nisja, këtë një vit e gjysmë llogarite një lloj testimi, ama, prej 1 korrikut nisja, dhe vepro konkret, fillo dhe beso më në fund se përnime je kryetar i KOMUNËS SË GJILANIT, sepse ende nuk ua ke mbush syrin dhe mendjen gilangjive.
Te dëshiroj punë të mbarë.
Sinqerisht,
Flamur Hyseni, qytetar i Gjilanit
2LONLINE