Për të shtunën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të kemi depërtimin e fuqishëm të frontit të ftohtë. Fillimisht do të prekë pjesën veriore e më pas deri në orët e mëngjesit pritet të shtrihet deri në jug të vendit.
Vija frontale do të gjenerojë reshje shiu, lokalisht të fuqishme, të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa menjëherë me kalimin e frontit të ftohtë do të shndërrohen në reshje bore në pjesën dërrmuese të vendit, me përjashtim në disa zona të Rrafshit të Dukagjinit.
Në ndërkohë, një ciklon i fuqishëm nga Italia do të lëvizë shpejtë drejt vendit tonë, ku gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes do të sjellë reshje të dendura bore, më intensive parashihet të jenë në jug dhe juglindje të vendit.
Sa i përket sasisë së borës, në zonat e ulëta parashihet të variojnë prej <5 deri në 20 cm, ndërsa në zonat malore, sidomos në jug të vendit pritet të arrijë deri në gjysmë metër (50 cm).
Era do të fryjë nga veriu, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-65 km/h!
Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 6°C.
METEOKOSOVA