Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në konferencën për media, ka falënderuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për vizitën e tij në Kosovë siç tha ajo, në një kohë sfiduese për sigurinë jo vetëm në vend, por edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Osmani theksoi se roli i NATO-s dhe i KFOR-it është vendimtar në parandalimin dhe destabilizimin jo vetëm të vendit tonë, por gjithë rajonin pasi sipas Osmanit, Serbia mbetet kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin.
“Liria e Kosovës është rezulatat edhe i mbështetjes së NATO-s. Jemi falënderues për ushtarët e NATO-s të cilët po japi kontribut për paqe dhe stabilitet, por kjo paqe së fundi është cënuar seriozisht nga ana e Serbisë. Roli i NATO-s dhe i KFOR-it në parandalimin e destabilizimit jo vetëm të Kosovës është vendimtar, pasi qe Serbia mbetet kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë”, tha ajo.
Derisa theksoi se “anëtarësimi në aleancën më të fortë në botë është qëllim strategjik, ekzistencial dhe parësor i shtetit të Kosovës. Stërgjatja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë do të prodhonte pasoja të mëdha për sigurinë në të gjithë kontinentin evropian”, shtoi Osmani.