Në Gjilan është mbajtur sot ceremonia vjetore të ndarjes së çmimeve të mirënjohjes publike për “Çmimin Vjetor për Angazhim Qytetar”, i cili i ndahet qytetarit apo grupit të qytetarëve aktiv të cilët përmes kontributit në komunitet, angazhimit dhe aktivizmit të vazhdueshëm, kishin një ndikim të jashtëzakonshëm në komunitetin e tyre, si dhe “Çmimin Vjetor për Zyrtarin e Dalluar Komunal”, i cili i ndahet zyrtarit komunal që ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse komunale, duke ndikuar pozitivisht në adresimin e çështjeve të komunitetit.
Këtë ngjarje, në të cilën ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka mbështetur projekti i USAID – Kontrata Sociale, përfaqësues të të cilit ishin, po ashtu, prezentë.
Kryesuesi i Komisionit për përzgjedhjen e më të dalluarve të vitit, asambleisti Arianit Sadiku, ka thënë se brenda dy javësh prej kur është shpallur thirrja publike, kanë marrë afro 200 kërkesa dhe në bazë të tyre kanë vendosur që të përzgjedhin tre persona me më shumti nominime në këto dy kategori, të cilëve mirënjohjet ua ka ndarë kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Mobi Casa
Për Çmimin Vjetor për Angazhim Qytetar, fitues janë shpallur: Arjeta Maka, Bajram Spahiu dhe Isuf Isufi, derisa për Çmimin Vjetor për Zyrtarin e Dalluar Komunal, fitues janë shpallur: Ardian Foniqi, Mimoza Zymberi – Latifaj dhe Avdil Ibishi.
Alban Hyseni, pasi falënderoi USAID-in – Kontrata Sociale, për mbështetje në këtë dhe në projekte të tjera të rëndësishme për qytetarët, duke thënë se Komuna e Gjilanit është njëra prej nismëtareve të projektit Buxhetimi me Pjesëmarrje në nivel të Kosovës, lidhur me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe planifikim.
“Ajo që ne kemi bërë përmes Kontratës Sociale, me mbështetjen dhe fascilitimin e USAID e në bashkëpunim me zyrtarët tanë, është një lloj tentative për të rikthyer besimin qytetar në institucione, e kjo ka ndodhur me implementimin me shumë sukses të projektit të Buxhetimit me Pjesëmarrje. Ne kemi ndarë rreth 200 mijë euro për këto projekte, të cilat kanë qenë të propozuara dhe të votuara nga vetë qytetarët”, është shprehur Hyseni.
Ai, po ashtu, ka uruar fituesit e çmimeve për angazhim qytetar dhe fituesit e çmimeve për zyrtarin e dalluar komunal.
RAJONIPRESS