Është lansuar sot platforma e-Komunat, e cila do të lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet publike komunale, përmes platformës shtetërore e-Kosova, platformë kjo e mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si ministri e linjës për komunat.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se sot po lansojmë një numër shërbimesh të reja në e-Kosova, në kuadër të transformimit digjital si shtytës kyç për qeverisje më transparente, llogaridhënëse dhe efikase. “Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset, duke filluar nga administrata publike, shëndetësia, e arsimi, e duke e përfshirë çdo fushë të qeverisjes dhe ekonominë.” shtoi kryeministri. Rikujtoi dhe suksesin e platformës shtetërore e-Kosova, e cila tashmë i ka 880,000 përdorues të regjistruar, dhe ofron mbi 155 shërbime elektronike.
Duke theksuar se shërbimet duhet ta kenë në fokus qytetarin dhe parimin themelor të gjithëpërfshirjes, kryeministri Kurti potencoi se platforma të cilën po e lansojmë sot, do të ofrojë një numër shërbimesh të reja.
“Këto shërbime rrisin interaksionin në mes të organeve komunale dhe qytetarëve, duke e bërë qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes dhe duke bërë që ai të jetë i njoftuar në kohë reale për zhvillimet përkatëse në komunën e tij” u shpreh kryeministri. Ai theksoi dhe se kjo platformë do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien brenda administratave komunale, përmes përditësimeve në kohë reale dhe qasje në informacione të rëndësishme.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se përmes kësaj platforme ofrohet mundësia që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale, të kenë të dhëna të hapura, të qasshme si dhe të rritet interaksioni në mes të qytetarëve dhe organeve komunale.
Kurse, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, deklaroi se Reforma e Administratës Publike ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në institucionet tona dhe atë të shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve. “Tashmë në praktikë është parë se Reforma në Administratë Publike dhe digjitalizimi janë procese të pandashme”, tha ai.
Ndërkaq, në fund u bë edhe prezantimi i gjashtë shërbimeve të reja që ofrohen nga platforma e-Komuna, e që janë: transmetimet direkte të mbledhjeve të asambleve komunale; raporto problemin në komunën tuaj; komuniko me zyrtarin komunal; inicio dhe kontribuo në debatet publike për komunën tuaj; informacione mbi komunat dhe pasuria e zyrtarëve komunalë.
Fjala hyrëse e kryeministrit Kurti:
Ju faleminderit i nderuari z. Muhamet Quni,
I nderuari z. Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
I nderuari z. Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme,
Të nderuar kryetarë të Komunave, nënkryetarë të komunave, drejtorë e përfaqësues të tjerë të komunave të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues e punonjës të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Transformimi digjital është shtytësi kyç për qeverisje më transparente, më llogaridhënëse dhe më efikase. Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset, duke filluar nga administrata publike, shëndetësia, e arsimi, e duke e përfshirë çdo fushë të qeverisjes dhe ekonominë.
Prandaj përmes strategjisë së re të e-Qeverisjes kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisjes digjitale, duke nisur nga avancimi i infrastrukturës digjitale, zbatimi i teknologjive moderne, ndërtimi i arkitekturës mbarë qeveritare, krijimi i kornizës për qeverisje të të dhënave, e deri te zhvillimi i standardeve të unifikuara për dizajnim të shërbimeve.
E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është thjesht vetëm digjitalizimi i tyre. Shërbimet duhet të ridizajnohen ashtu që ato ta kenë në fokus qytetarin. Ne jemi në fazën e pilotimit të qasjes së ofrimit të shërbimeve, bazuar në ngjarjet jetësore të qytetarëve. Kemi filluar me ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës dhe jemi duke automatizuar shërbimet e regjistrimit dhe të benefiteve për prindërit e rinj që do të mund t’i marrin ato në mënyrë pro-aktive nga shteti, pa vizita në sportele të institucioneve të ndryshme.
Përveç kësaj, parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Në rrugëtimin ndaj digjitalizimit, duhet të sigurohemi që asnjë qytetar të mos mbetet mbrapa. Duhet të sigurohemi që përfitimet nga digjitalizimi t’i gëzojnë edhe ata të cilët nuk kanë qasje në pajisje teknologjike. Prandaj jemi në proces të dizajnimit arkitektonik dhe funksional të qendrës së parë të integruar të shërbimeve, ku qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime të ndryshme cilësore, në një lokacion të vetëm, me ndihmën e zyrtarëve përkrahës.
Përderisa angazhimi ynë për digjitalizim është i palëkundur, ne gjithashtu jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt. Bazuar ne strategjinë e sigurisë kibernetike, po punojmë në forcimin e strukturave institucionale, avancimin e kornizës ligjore, në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike e njerëzore në siguri kibernetike.
Në kuadër të platformës shtetërore e-Kosova, e cila tashmë i ka 880,000 përdorues të regjistruar, sot kemi mbi 155 shërbime elektronike, duke përfshirë certifikatat e digjitalizuara të gjendjes civile, certifikatën e pronës dhe kopjen e planit, faturat e tatimit në pronë e të gjobave në trafik, vazhdimin e regjistrimit të veturës, certifikatën e historisë penale, si dhe aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione të ndryshme. E ato shërbime elektronike që janë me pagesë, mund edhe të paguhen drejtpërdrejt online në E-Kosova.
Ndërsa sot po lansojmë një numër shërbimesh të reja në e-Kosova, në kuadër të kategorisë e-Komunat. Këto shërbime rrisin interaksionin në mes të organeve komunale dhe qytetarëve, duke e bërë qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes dhe duke bërë që ai të jetë i njoftuar në kohë reale për zhvillimet përkatëse në komunën e tij. Përmes transmetimit direkt të mbledhjeve të asambleve komunale, debatit me zyrtarët komunalë, raportimit të problemeve, e qasjes në informata, qëllimi është të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi në mes të qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre në nivelin lokal.
Për më tepër, kjo platformë do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien brenda administratave tona komunale. Duke ofruar përditësime në kohë reale dhe qasje në informacione të rëndësishme, ne fuqizojmë qytetarinë aktive dhe nxisim një qasje më bashkëpunuese dhe më pjesëmarrëse e cila e forcon demokracinë lokale.
Në fund, dua të shpreh falënderimin tim për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për punën dhe angazhimin në zhvillimin e shërbimeve në kategorinë e-Komunat të cilat po i lansojmë sot. Qeveria jonë mbetet e përkushtuar në rritjen e përdorimit të teknologjive digjitale, për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë. Ne do të vazhdojmë me zhvillimin e shërbimeve inovative që në qendër e kanë qytetarin, duke pasur gjithmonë parasysh rëndësinë që kanë shërbimet në nivelin lokal në jetën e përditshme të çdo qytetari.
Ju falemnderit!
INDEKSONLINE.NET