Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se korrupsioni ka qenë i pranishëm në shoqëri për vite me radhë, sipas tij për shkak të keqqeverisjeve të mëparshme.
Kurti, ka ngritur akuza kundër qeverisjeve të kaluara duke thënë se shtetin e konsideronin si arkë për personale e jo për mirëqenie kolektive.
“Sot ju drejtohem të gjithëve pa dallim, për të adresuar një çështje të rëndësisë madhore e që ka përcjellë shoqërinë tonë për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin.
Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Kurti tha se nga ryshfeti deri te nepotizmi, “kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”.
Mes tjerash ai tha se Kosova është shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit, sipas World Justice Project.
“Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit”. /teve1.info/