Inaugurohet shtatorja e ikonës kombëtare, Adem Demaçi në Podujevë
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi është mbajtur manifestimi për zbulimin e shtatores së ikonës kombëtare, Adem Demaçi. Për ta madhështuar këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i biri i bacës Shqiptar Demaçi, ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të subjekteve politike lokale, komandantë të ZOLL-it, familje të dëshmorëve, veteranë të luftës, të burgosur politik e shumë qytetarë.
Në këtë manifestim fjalë rasti mbajtën; Kryeministri Kurti i cili tha “Kur diktatura nuk e kërcënon lirinë, duhet dyshuar te liria. Ky njeri i madh që sot ia lartësojmë në mënyrë solemne peshën e gurit, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës. Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend. Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”.
Kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi në fjalën para të pranishmëve tha “Jam i lumtur që Podujeva është qyteti i parë që do ta ketë shtatoren e bacës Adem.
Llapi nuk është thjeshtë vendlindja e bacës Adem, por edhe vendi e familja e tij e madhe, ku ai u brymos në frymën atdhetare. Baca sot po skalitet këtu si një hero i një populli që aq shumë e deshi dhe gjithçka sakrifikoi për të”.
Fjalë rasti mbajtën edhe i biri i bacës Adem, Shqiptar Demaçi i cili tha; “I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për ngritjen e shtatores së bacës në qytetin e Podujevës, si dhe tha se pret që të riaktualizohet plani për ngritjen e shtatores edhe në Prishtinë”.
Pas fjalimeve të mbajtura u paraqitën me nga një këngë; Hysni Klinaku, Afrim Muqiqi, ShKA “Zahir Pajaziti” dhe me një valle të vegjlit e ShKA “Flaka e Llapit”.
26.11.2023, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim