Edhe pesë ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit të dytë për regjistrimin e veturave me targa RKS. Deri më 1 dhjetor, institucionet komunale në veri do të punojnë edhe të dielën për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve të interesuar. Por ndryshe prej rastit të targave, të shtunën nuk pati interesim të qytetarëve në veri edhe për pajisje me dokument udhëtimi të Kosovës që do t’ua mundësonin udhëtimin pa viza në zonën Schengen, nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Tek kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përfundimin e afatit të dytë për konvertimin e targave të veturave në RKS, institucionet komunale në veri, krahas të shtunave do të jenë hapur edhe të dielën për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve të interesuar.
Që prej zgjatjes së këtij afati deri më 1 dhjetor, qytetarët serbë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – kanë shprehur interesim të madh për t’i riregjistruar veturat.
Disa nga qytetarët që të shtunën e shfrytëzuan mundësinë për riregjistrimin e veturave deklaruan se janë duke e zbatuar ligjin, në mënyrë që të lëvizin lirshëm.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër. Nuk kemi se si tjetër t’i ngasim veturat”, ka thënë një nga qytetarët serbë.
“Targat aktuale janë këto që janë dhe tash po shkoj t’i ndërroj”, ka thënë një tjetër, që të shtunën shkoi në Qendrën e Regjistrimit.
Rrugëve të veriut të shtunën u panë tek qarkullojnë vetura me targa RKS.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur se deri të premten, në katër komunat veriore mbi 3 mijë veturave u janë konvertuar targat në RKS, përfshirë edhe 800 të tjerave nga afati i parë.
Ai tregoi për masat që do të ndërmerren pas 30 nëntorit, ndaj ngasësve të veturave që bartin targa ilegale serbe me akronime të qyteteve të Kosovës.
“Ne kemi planifikuar që mos me e blloku veriun. Duke marrë parasysh që këto vetura janë të paregjistruara, i trajtojmë si të tilla, sikur të ishin në Pejë, Prishtinë, Gjilan apo diku tjetër. Që do të thotë, takohet polici me një veturë, i merren targat, dokumentet, i shqiptohet një tiketë 150 euro për veturë të paregjistruar, pronari lejohet ta largojë veturën nga rruga, sepse ligji e thotë kështu”, ka treguar Elshani. “Në rastin e dytë, nëse hasim në veturë tash që do të duhej të ishte pa tabela, atëherë konfiskohet dhe ajo i dërgohet doganës”.
Ndryshe prej rastit me targa, të shtunën nuk u panë qytetarë të interesuar për t’u pajisur edhe me dokumente udhëtimi të Kosovës.
Njëri nga qytetarët serbë në Mitrovicë të Veriut, që foli për KOHËN, tha se nuk e sheh të nevojshme pajisjen me pasaportë të Kosovës, ani se ajo do t’ia mundësonte udhëtimin pa vizë në vendet e zonës Schengen, nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
“Unë e kam letërnjoftimin e Kosovës, por nuk e kam pasaportën. E nuk e di nëse do ta marr, pasi nuk ma merr mendja që do të shkoj ndokund”, ka thënë ai. “Këtu i kam të gjitha dhe punoj këtu”.
Komisioni Evropian ka propozuar që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për qytetarët që bartin pasaporta serbe, e që kanë vendbanim në Kosovë. E para kësaj, në Ministrinë e Punëve të Brendshme bënë të ditur se gjatë muajit nëntor, 191 qytetarë serbë janë pajisur me pasaporta të Kosovës.
Në propozimin e vet Komisioni Evropian ka argumentuar se “tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të të cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi”.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se Komisioni Evropian nuk e ka konsultuar apo informuar në lidhje me propozimin për heqjen e vizave bartësve të pasaportave të Serbisë, të cilët jetojnë në territorin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se në pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, komunat e Kosovës konsiderohen si pjesë e juridiksionit të Serbisë dhe se kjo paraqet shkelje të sovranitetit të Kosovës.
Ai ka njoftuar se këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e ka adresuar drejt instancave më të larta të BE-së, ndërsa i bëri thirrje BE-së që të rishqyrtojë propozimin, “i cili përmban shkelje të shumëfishta”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtoria Koordinuese serbe. Ky propozim nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kundërshtinë për këtë nismë e kanë shprehur edhe disa organizata të shoqërisë civile, të cilat i janë drejtuar Komisionit Evropian me një letër.
Në letrën dërguar komisioneres evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së, 21 organizata të Shoqërisë Civile kanë kërkuar që ky propozim të tërhiqet.
Në letër thuhet se propozimi vjen në kohën kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë.
Në letër shpjegohet se Policia e Kosovës me organet e tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX-i, janë duke ofruar siguri të plotë për të gjithë qytetarët e vendit, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri të Kosovës, si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezente në veriun e Kosovës, të cilat sipas tyre, i kanë penguar këta qytetarë të integrohen në jetën shoqërore e politike në Kosovë.