Kështu ka njoftuar faqja zyrtare e Universitetit publik “KADRI ZEKA” në Gjilan.
Ja postim i plotë:
Diplomuan studentët e parë të studimeve master të Fakultetit të Edukimit në UKZ
7 Shkurt, 2024
Severxhane Aliu studente në programin master “Mësimdhënie në Gjuhë dhe letërsi shqipe” dhe Tringa Kurteshi, studente në programin master “Mësimdhënie në Kurrikula në Arsimin Fillor” në Fakultetin e Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, pas përfundimit me sukses të studimeve të nivelit master, janë studentet e para, të cilat kanë mbrojtur temën e diplomës. Studentja Severxhane Aliu mbrojti me sukses punimin e masterit me titull: “Personazhi prind në veprat Kukulla të Kadaresë dhe Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj të Markesit – perceptimi i tyre nga nxënësit e klasës XII”, para komisionit vlerësues, Prof. Dr. Bajram Kosumi, kryetar, Prof. Asoc.Dr. Merxhan Avdyli, mentor dhe Prof. Ass.Dr. Flamur Maloku, anëtar i komisionit, kurse studentja Tringa Kurteshi mbrojti me sukses punimin e masterit me titull: “Zbatimi i strategjive për mësim aktiv në arsimin fillor” para komisionit vlerësues, Prof. Ass. Dr. Mensur Neziri, kryetar, Prof. Asoc.Dr. Voglushe Kurteshi, mentor, Prof. Ass.Dr. Arbona Xhemjali, anëtare e komisionit.
Në këtë rast Dekani i Fakultetit të Edukimit në UKZ Prof. Asoc. Dr. Merxhan Vdyli pasi përshëndeti të pranishmit, studentëve të diplomuar u ka dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tyre profesionale! Ai tha se diplomimi është një akt që gjithmonë mbetet në kujtesën e secilit, andaj në këtë ditë urojmë që kjo diplomë të shërbej në realizimin e ëndrrës së tyre, sepse Universiteti Publik “Kadri Zeka”, punon që të nxjerrë kuadro krahas kërkesës së kohës moderne. Gjatë mbrojtjes së temave të diplomës nga studentet e studimeve master, kanë marrë pjesë profesor dhe asistentë të Universitetit si dhe familjarë të studentëve tashmë të diplomuar.
Të diplomuarat, tani do të kenë aftësi që të përmbushin detyrat në mënyrë të pavarur dhe do të jenë të gatshëm të ballafaqohen me problemet aktuale dhe kërkesat për ndryshime të nevojshme gjithnjë në përshtatje të zhvillimit modern dhe duke u bazuar në hulumtime shkencore dhe profesionale.