Gjilan – Ky fshat piktoresk është i vendosur pran kodrës së Gurit të Bardhë. Gjendet nja 10 km larg qendrës komunale të Gjilanit. Kufizohet në lindje me Bukovikun, në jug-lindje me Pogragjën, në jug me Uglarin, dhe në perëndim me Malishevën. Nga të dhënat thuhet se ky vendbanim është krijuar para 180 viteve, nga banorët e ardhur nga Mërkoja vendbanim në Jabllanicë.
Si vend kodrinoromalor njihet me kullota të mira për bagëti.
Po ta vizitosh njëherë do të mahnitesh me bukuritë e këtij fshati, të bënë për vehte, të bënë të kërkosh prapë ta vizitosh, pamja magjike nga lartësia e fshatit të mbush me energji.
Por specifike e kësaj ane është mikpritja dhe atdhedashuria. Shikuar në këtë mënyrë kjo anë dhe banorët e saj kanë dhënë dhe japin kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Nisur nga parimi “të gjithë të barabartë” dhe kontribuues në zhvillim, kjo anë ka patur qasje konstruktive me mundësitë e veta në këtë drejtim.
Por, në këndvështrimin tjetër se si po kthehet ky kontribut i qytetarëve lë shumë për të dëshiruar. Subjektet politike që kanë qeverisur Gjilanin e pasluftës kanë bërë pak ose thuajse aspak në zhvillimin e infrastrukturës dhe kushteve elementare për jetesë.
Parë nga ky këndvështrim banorët e Caparit janë konsideruar vetëm si votues dhe të dëgjueshëm, dhe nuk janë marrë shumë në konsideratë problemet dhe hallet e tyre.
Po të takohesh me të rinjët e këtij fshati që në numër janë shumë pak, temë kryesore e diskutimit është braktisja e vendit, dhe në sytë e tyre shihet qartë pakënaqësia dhe mllefi i mbledhur prej kohësh duke aluduar gjithnjë në mungesën e strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së banorëve të kësaj ane e më gjerë.
Ata bëjnë thirrje për më shumë punë konkrete edhe në këtë pjesë të Komunës së Gjilanit, kërkojnë ta ndjejnë dhe t’i prekin të mirat e shtetit ku frymojnë bashkë me të tjerët dhe mos të jenë të diskriminuar në kuptimin negativ./rajonipress/ skender berisha/