Sot, më 10 Dhjetor 2023 bëhën 74 vite nga lindja e njërit nga profesorët e dalluar të lëndës së kimisë në Gjilan dhe jo vetëm.
Ja edhe një biografi më e gjerë për të, e botuar më 2018 në Gazetën RajoniPRESS.
Gjilan – Mitat Maliqi, profesor, është emër i rrallë i jetës dhe punës arsimore. Është njëri nga profesorët e dalluar të lëndës së kimisë në Gjilan e më gjerë. Ai e deshi shumë punën me ditar në dorë, sepse, këtë “detyrë” të shenjtë e ka çmuar dhe ka kontribuar kudo që punoi e veproi si mësimdhënës i lëndës së kimisë. Pse jo?
Ai, edhe në kohën kur punoi me ditar, gëzoi autoritet të madh tek shkollarët, të cilët e respektuan dhe e çmuan mjaft shumë për lëndën që ua përcjellte e ua ligjëronte gjatë jetës shkollore. Andaj, të shkruash për këtë arsimdashës të dalluar, është jo vetëm krenari jona, por është edhe privilegj. Jo vetëm kjo.
Krejt veprimtaria e tij edukativo- arsimore e këtij pedagogu të merituar, është e vlerësuar dhe e çmuar me shumë arritjet të larta të punës që bëri ai në rrugën e quajtur – dituri e jetë. Ai (Mitat Maliqi, profesor, tash në pension), ndjehet krenar për atë që ka dhënë dhe ka bërë në të mirë shkollës dhe arsimit shqip.
Mitat Maliqi është një emër i përveçëm i shkollës shqipe. Është edhe një gur themeltar i arsimit shqip. Ai, ndonëse është në pension, gjithnjë flet me ëndje për punën që ka bërë gjer në përfundimin e karrierës së tij si mësimdhënës. Thotë se, vetëm me punë, njeriu e lartëson vetën. Këshilla e tij kryesore është që arsimtarët dhe prindërit të punojnë sa më shumë me fëmijët e tyre. Shton se, nuk ka me arsimin! Arsimi është themeli i një shoqërie të një shteti. Pa arsimim të mirëfilltë, s’ka ecje përpara…
Mitat Maliqi lindet më 1949 në fshatin Busavatë, komuna e Kamenicës. Shkollën fillore , pesë klasëshe e kreu në vendlindje, ndërsa tri klasa të tjera i vazhdoi në fshatin Përlepnicë, komuna e Gjilanit. Shkollën e mesme, Normale, e kreu në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Kimisë, e kreu në Prishtinë. Jo vetëm kaq.
Pas kryerjes së fakultetit, ka punuar në Akademinë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan, mandej ka punuar në Gjimnazin “9 Maji” në Kamenicë, që ishin paralele të ndara në Hogosht. Ka punuar në QPA, në OBPB – arsimi i përgjithshëm dhe në Shkollën e Bujqësisë “Arbëria” në Gjilan.
Nga vitit 1995 deri më 10 .XII. 2014, kur dhe u pensionua, ka punua në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, në Gjilan. Mandej, në vitin shkollor 2001 deri në vitin 2002/3 ka qenë drejtor i kësaj shkolle, të cilën e udhëhoqi me mjaft sukses. Për punë në procesin edukativo-arsimor, ai disa herë ka qenë i shpërblyer me mirënjohje dhe lavdërata të ndryshme. Kontributin e tij si mësimdhënës në arsimimin e shumë gjeneratave të reja, është i çmuar dhe tejet i vlerësuar. Ai gjithashtu ka përgatitur shumë nxënës nga Gjilani, Kamenica, Vitia Presheva, Bujanoci etj., në lëndën e kimisë për studime të mëtejshme në fakultetin e Mjekësisë, në FSHMN dhe fakultete tjera.
Në MASHT ka punuar si ekspert rreth përpilimit të pyetjeve për testin e maturës së klasës së XII-të dhe XIII-të (gjimnaz dhe shkolla profesionale) dhe testit të arritshmërisë për klasat IX-të në lëndën e kimisë. Mitat Maliqi, profesor, ka qenë i angazhuar si bashkëpunëtor profesional për përpilimin e planeve dhe programeve mësimore në MASHT për lëndën e kimisë. Po ashtu, ai ka qenë edhe recensues i disa teksteve shkollore të kimisë. Nga profesioni i tij si kimist, ai ka botuar një tekst të kimisë me titull “Matura shtetërore” (Teori, ushtrime dhe teste nga kimia e përgjithshme inorganike dhe organike).
Në një bisedë rasti, ai na u përgjigj disa pyetjeve tona, që kishin të bëjnë me shkollimin e tij, jetën private etj. Ja si na u përgjigj: “U linda dhe u rrita në Busavatë në lagjën Jabukovicë (Mollishtë) nga nëna Arzije dhe babai, Kadri Maliqi. Këtu u përkunda në djep të drurit nga nëna ime motrat dhe vëllau. Për këtë kohë i ruaj kujtimet më të ëmbla si bari, kur i bisha fyellit dhe rujsha bagëtinë nëpër fusha e male. Rrjedh nga një familje me tradita të pasura kombëtare dhe arsimdashëse.
Pesë vite të fillores i kreva në Busavatë. Tri vite në Përlepnicë, ku udhëtoja 12 kilometra në ditë në dy drejtime. Aty pata fatin të jem në një klasë me Xhavit Ahmetin, profesorin e ndjerë, me të cilin u bëmë shokë të ngushtë. Bashkë ishim në Shkollën Normale këtu në Gjilan, por bashkë kemi studiuar në Prishtinë. Xhavit Ahmeti ka qenë jo vetëm shok i mirë, por ka qenë edhe studiues i fortë. Edhe unë e kam respektuar, por edhe ai më ka vlerësuar. Vetëm gjumi na ka ndarë. Ai shkoi para kohe. Ishte jo vetëm një emër i madh i shkollës shqipe, por ishte edhe një zë i shquar i dijes dhe atdhetar. Ishte emër që nuk do ta harrojmë. Ai ishte një shkencëtar i merituar i dijes.
Pas studimeve kam punuar në shumë shkolla, por më së shumti kam punuar me ditar në dorë në shkollën e mjekësisë prej themelimit e gjer vonë. Pata fatin të punoj në një shkollë me nxënës të zgjedhur prej nga dolën gjenerata të shumta që po i shërbejnë Anamorave së Gjilanit, por edhe Kosovës e më gjerë.
Krahas punës së rregullt me ditar në dorë, me iniciativën e nxënëseve, më 1989 kam filluar të mbaj kurse të kimisë. Jam ndër të parët kimistë që kam filluar të mbaj kurse në Anamoravë me nxënës nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Presheva dhe Bujanovci. Po shprehem thjesht se jam i lumtur që jam pjesë e suksesit të këtyre gjeneratave. Falë punës sime të palodhshme nga Anamorava, ku ka më së shumti studentë në Fakultetin e Mjekësisë. Nga kursi i kimisë që e kam mbajtur qe 20 vite, kanë dalë shumë mjekë, që tani janë specialistë dhe doktorë shkencash që po i shërbejnë qytetarëve tanë. Shumë mjekë tani jenë edhe në botën e jashtme si ekspertë të njohur dhe kanë bërë emër në drejtime tyre të mjekësisë.
Po ashtu, kontributin më të madh e kam dhënë në Shkollën e Mjekësisë, ku prej një klase në fakultetin e mjekësisë janë pranuar 10 nxënës. Siç dihet, Shkolla e Mjekësisë krijoi kuadro të respektuara jo vetëm për Gjilanin, por edhe për gjithë Kosovën etj.
Jam i lumtur dhe krenar që pata fatin të punoj me nxënësit më të dalluar të Anamoraves. Këtu kuptova se kemi një rini të mrekullueshme që ka perspektivë të ndritur dhe dobiprurëse për të gjithë! Kam punuar një vit në Preshevë, ku kam mbajtur kurs me ftesë të kryetarit të Komunës, Ragmi Mustafa. Në fund më nderuan me mirënjohje.
Pas kësaj pune, jam shpërblyer shume mirënjohje dhe lavdërata. Punën me ditar e kam dasht me zemër. Nuk kam kursye as atomin e fundit të energjisë për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. Nuk ka punë më të ndershme se puna me ditar në dorë.
E kam të freskët datën e 9 dhjetorit (2014), kur shkolla pati organizuar një koktej me daljen time në pension. Në këtë organizim mori pjesë Nazmi Musa, drejtor i Arsimit në Gjilan. Nga drejtori i shkollës, Shaban Terstena, mora mirënjohje për punën e suksesshme në arsim. Më dhuruan edhe një libër si shenjë kujtim me rastin e shkuarjes në pension.
Duke parë nevojën e nxënësve që kishin për testin e maturës dhe regjistrimin e tyre nëpër fakultete, botova librin e kimisë: “Matura Shtetërore, teori, ushtrime dhe teste”, i cili libër u prit shumë mirë nga nxënësit dhe arsimtarët e kimisë. Mora shumë mesazhe dhe falënderime për këtë punë timen.
Të shtoj edhe këtë se, me kërkesën e shumë lexuesve, me 23 prill 2018, doli ribotimi i katërt i librit në fjalë. Libri është i kërkuar nga të gjithë shkollarët e vendit. Po ashtu, vlen të përmendet kontributi i Zenel Krasniqit, profesor, i cili disa vite më vonë filloi kursin e biologjisë me të cilin kam pasur bashkëpunim. Me Zenelin kemi bërë “revolucion” në Anamoravë e më gjerë dhe i kemi dhënë mundësi të mëdha rinisë tonë që të përgatitet më shumë në drejtimet e tyre profesionale. Pra, jemi munduar të kontribuojmë në të mirë të shkollarëve të vendin tonë”, – ka shtuar në fund, Mitat Maliqi, profesor në pension, por akoma aktiv në profesionin e tij! I uruam shumë suksese!/tefik selimi/rajonipress/