Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çmos që të ruajnë marrëdhëniet me aleatët që i kanë qëndruar pranë Kosovës, veçanërisht SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar e shtetet e BE-së.
Osmani para mediave ka thënë se ruajtja e aleatëve është ekzistenciale për të ardhmen e shtetit të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione, në veçanti me SHBA-në, me Mbretërinë e Bashkuar, me shtetet e BE-së, që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë, sepse historia jonë e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin.
“Kosova është shtet që natyrisht është demokraci e zhvilluar dhe e konsoliduar, por të mos harrojmë që kemi probleme të mëdha të sigurisë. Në kufi e kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës, që çdo ditë synon gllabërimin e territorit tonë, që çdo ditë synon, edhe sot 25 vjet pas lufte, vrasjen e qytetarëve tonë siç e pamë edhe me vrasjen e heroit Afrim Bunjaku. Në këto sfida, neve na duhen aleatët tonë, neve na duhen partnerët tonë. Pra, jo vetëm si shenjë falënderimi për atë që kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë se çka na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë. Në fakt as një shtet në botë s’mund të ecë vetë përpara.
Në qoftë se dëshirojmë të kemi suksese në rrugën përpara duhet ta bëjmë këtë në bashkëpunim me aleatët. Edhe kushtetua edhe aleatët, nuk e përjashtojnë këto njëra-tjetrën”, tha Osmani para mediave.
Presidentja Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, të cilin tha se e ka dëmtuar qasja e pabarabartë ndaj palëve në këtë proces.
“Çështjen e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e balancit në këtë proces, mungesa ekuilibrit, ku njëra palë, në këtë rast Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, kurse Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme. Kjo vetëm që e dëmton dialogun, por në të njëjtën kohë edhe inkurajon Serbinë të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajon”, tha Osmani para mediave.
Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës javën që shkoi, O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.
Në linjë me këtë deklaratë të O’Brien, foli të enjten e kaluar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili i është përgjigjur Qeverisë Kurti të cilët deklaruan se nuk ka rrezik për krisje të partneritetit me ShBA-në.
Hovenier theksoi sërish se kjo situatë ka prekur partneritetin e ShBA-së me Kosovën, duke përgënjeshtruar kështu Kurtin dhe vartësit e tij në Qeveri, që pas intervistës së bujshme të O’Brien.
“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, tha ambasadori amerikan në një konferencë të jashtëzakonshme gjatë javës së kaluar.
Ndërkaq, Emisari amerikan, Gabriel Escobar, e vlerësoi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e zbatimit të shpejtë të Rregullores së BQK-së që ndalon valutën serbe si mjet ligjor pagese në Kosovë.
Emisari amerikan ka paralajmëruar edhe se “veprimet e njëanshme do të kenë pasoja”. Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet.
/Reporteri.net/