SC Gjilani e ka shënuar fitoren e dytë të sezonit, duke e mundur skuadrën e Prishtinës me rezultat 2 me 1. Ishte kjo ndeshje e javës së 7-të, e Superligës së Kosovës në Futboll.
Fitorja e “kuq e bardhëve” ishte e vështirë, pasi u ballafaqua me një skuadër të fortë, por se gjilanasit ishin skuadër më e mirë, e donin fitoren dhe sulmet e shumta në kërkim të golit, dhanë fryt dy herë.
Në fakt, gjilanasit ishin në disavantazh pasi të parët shënuan mysafirët përmes Albin Krasniqit, por se vendësit barazuan përmes Kushtrim Shabanit e më pas u shënua edhe goli i përmbysjes së rezultatit, e që doli të jetë edhe goli i fitores, përmes lojtarit Besir Ramadanit, i cili shënoi për 2-1.
Tani Gjilani mund të jetë më i qetë, pas një ecurie jo edhe të mirë në këto shtatë javë dhe se, ashtu siç kanë thënë drejtuesit e klubit, trajneri e lojtarët, kjo fitore mund të jetë e kthesës kah e mbara.
Gjilani ka të grumbulluara 8 pikë dhe në javën e radhës do të ballafaqohet me rivalin lokal, siç është quajtur deri më tani, derbi më i madh i skuadrave kosovare, do të luhet ndeshja Drita – Gjilani. /2LONLINE/