Ramadani: Do të japim maksimumin që ta arrijmë tre pikëshin kundër Llapit
Ndeshja e vetme e xhiros së 14-të e Albi Mall Superliga e Kosovës, ndërmjet FC Drita dhe FC Llapi do të zhvillohet të hënën.
Në konferencën e mbajtur për medie, trajneri i skuadrës së FC Drita, Zekirija Ramadani, tha se ndeshja do të jetë e vështirë dhe sfiduese.
“Nesër do të jetë derbi i radhës, e dijmë me çfarë ekipi kemi të bëjmë, çfarë potenciali kanë dhe me çfarë kontigjenti të futbollistëve kemi të bëjmë. Gjithmonë me FC Llapin kanë qenë ndeshje të vështira dhe gjithmonë do të jenë. Sa i përket ekipit tim mendoj që jemi të gatshëm, kemi atmosferën e mirë, kishim 4 ditë në dispozicion për ta rigjeneruar skuadrën, por edhe për të punuar pak më ndryshe. Kemi shfrytëzuar kohën e mjaftueshme, objektivi jonë dihet se çfarë është nuk duhet ta përsërisë, por vetëm fitore. Do të japim maksimumin që ta arrijmë tre pikëshin”, ka thënë trajneri Ramadani.
Kryetrajneri, Zekirija Ramadani foli edhe për lidershipin, qe sipas tij është shumë e vështirë të mbahet froni.
“Për të mbajtur lidershipin gjithçka duhet të dyfishohet. Tani jemi në vendin e parë dhe jemi objektiv për çdo skuadër për me na zbrit nga vendi i parë. Mirëpo, eksperienca brenda grupit, stafit, drejtuesit tanë, futbollistët dhe mendoj që mund ta përballojmë, mund ta menaxhojmë dhe deri në fund do rritet puna edhe më tepër dhe ta mbajmë vendin e parë deri në fund. Tani me të gjitha ndeshjet e zhvilluara është në vendin e parë dhe këtë e kam thënë duke besuar te grupi, te ekipi, te puna që bëhet në stërvitje, te konkurrenca që e kemi për këtë ishim të bindur që kur të vijmë në ndeshje të barabarta do të jemi në vendin e parë dhe ja ku jemi, por jam i bindur që kemi mundur të bëjmë edhe më tepër”, ka përfunduar drejtuesi i FC Drita.
Kujtojmë që ekipi i Llapit është ekipi i vetëm që i ka shkaktuar humbjen e vetme këtë edicion, skuadrës së Dritës.
Ndeshja FC Drita – FC Llapi zhvillohet nesër, e hënë në Stadiumin Ndihmës (te rrethi), në Gjilan nga ora 13:00.