Numri i të rinjve që kanë probleme me zemër në rritje, shkak narkotikët e obeziteti
Numri i të rinjve që kanë probleme me zemër në Kosovë, është në rritje.
Kështu thotë kardiologu, Daut Gorani i cili tregon se viteve të fundit në Qendrën Klinike Universitare kanë vërejtur një rritje të numrit të kësaj grupmoshe.
Ai thotë se te shumica e tyre është e nevojshme t’u vendosen stenta derisa shton se një gjë e tillë është shqetësuese.
“Natyrisht që trajtimi te ne bëhet me stenim nëse bëhet fjalë për sindromën acute koronare mbylljen e arterieve të zemrës që furnizojnë zemrën me gjak pastaj bëjmë intervenimin dhe natyrisht përfundon me vendosjen e stentave. Natyrisht se është shqetësuese ” , ka deklaruar ai.
Derisa përmend edhe disa nga arsyet që po çojnë deri tek shfaqja e këtyre problemeve.
“Të rinjtë në kohët e fundit nuk janë shumë të kujdesshëm sidomos te abuzimi me duhan, duhanpirja është një prej shkaktarëve kryesorë. Përveç kësaj, është edhe përdorimi i narkotikëve, droga sidomos kokaina shkakton çarjen e arterieve koronare kemi pasur raste nga 20 deri 30 vjeç pacientë të cilët kanë ardhë janë trajtuar në Klinikën tonë, kanë qenë abuzues të narkotikëve… Faktorë tjerë gjenetikë obeziteti është po ashtu nuk kanë kujdes në ushqim konsumojnë ushqim të yndyrshëm”, tha ai.
E nutricionisti, Bahri Sopa thotë se mosushqyerja në formë të duhur shkakton edhe sëmundje tjera.
Ai shton se është rritur numri i të rinjve që kërkojnë zgjidhje për humbje peshe, për shkak se u janë paraqitur sëmundje të ndryshme.
“Po ka interesim shumë të madh mirëpo ne jemi duke analizuar në institucionet relevante shëndetësore për një ide të programit kombëtar që do të na bënë të shëndetshëm në nivele të ndryshme sepse organizmi ynë funksionon mirë kur inkorporon tri shtylla, e para është ushqimi kur ne në organizmin tonë tentojmë të bëjmë një ushqyeshmëri e cila i përgjigjet strukturave trupore”, ka pohuar ai.
Simptomat përcaktuese për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës janë të ndryshme sipas kategorive të prekura. MESAZHI.COM