Profesori Universitar Gëzim Qerimi, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit.
Postimi i plotë i prof. Gëzim Qerimi në rrjetin social në facebook:
Në këto momente kritike, Kosova dhe qytetarët e saj përballen me një armik të vetëm, të pamëshirshëm dhe të pandërprerë: Serbinë dhe regjimin e Vuçiçit. Ky armik është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të minuar stabilitetin dhe integritetin e Kosovës.
Çdo përpjekje për të larguar vëmendjen nga sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc është një veprim që i shërben drejtpërdrejt interesave të Serbisë dhe kërcënon jo vetëm sigurinë e Kosovës, por edhe paqen dhe stabilitetin e rajonit.
A janë këto veprime të qëllimshme apo nga pakujdesia, ne nuk mund ta dimë, por është përgjegjësi e organeve të sigurisë dhe drejtësisë të zbardhin të vërtetën dhe të sigurojnë që ata që po i shërbejnë interesave të Serbisë, të japin llogari për veprimet e tyre, pa marrë parasysh pozitat apo statusin e tyre.
Në këtë kontekst, është thelbësore të hetohet deri në detaje media Kosova Online: kush e financon, cilat janë qëllimet e saj, dhe çfarë lidhjesh ka me organizata terroriste. Po ashtu, duhet të hulumtohet me kujdes lidhja e saj me narrativën ruse dhe serbe për Kosovën, si dhe roli i saj i mundshëm si vegël kryesore e Putinit dhe Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Fatkeqësisht, kjo media citohet pothuajse çdo ditë nga shumica e mediave në Kosovë, kjo e bënë zbardhjen e këtyre çështjeve një domosdoshmëri absolute.