T’u jepet fund praktikave kundër kushtetuese
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Kërkohet kohë shtesë që të adaptohen me përdorimin e euros, ata që marrin pensione, rroga, ndihma sociale, … në euro, përmes llogarive bankare në Kosovë.
Të gjithë, vendor e ndërkombëtar pajtohen se rregullorja e BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ndërprerja e praktikave antikushtetuese të Serbisë, përmes sjelljes së dinarit në formë të paligjshme, ekzistimi i strukturave paralele dhe veprime të tjera kriminale, sipas ndërkombëtareve duhet të ndodh, por kjo duhet të ndodh më vonë, derisa qytetarët serbë të adaptohen por edhe për shkak të rrezikut të tensionimit të situatës në veri.
Kërkohet kohë shtesë, thuajse 25 vite nuk kanë mjaftuar që serbët që jetojnë në Kosovë t’i përshtaten realitetit të ri, në të cilin ata jetojnë si qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës, madje në shumë segmente edhe të privilegjuar.
Kërkohet kohë shtesë që të adaptohen me përdorimin e euros, ata që marrin pensione, rroga, ndihma sociale, që marrin para nga shteti i Kosovës për t’i ndërtuar shtëpitë në Kosovë, të gjitha këto në euro përmes llogarive bankare në Kosovë.
Ndërsa sa i përket strukturave paralele, të themeluara dhe përkrahura nga Serbia, ato nuk do të duhej të themeloheshin kurrë, por me që ekzistojnë dhe funksionojnë qe 25 vite, ato duhet të shpërndahen menjëherë, e për themelimin dhe veprimtarinë e tyre kriminale do të duhej të dënohen jo vetëm strukturat paralele, por edhe themeluesi dhe përkrahësi i tyre në Beograd.
Sa i përket tensionimit të situatës në veri, ajo do të mbetet e tillë, derisa Serbia të udhëhiqet nga bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët e Millosheviqit dhe ideologëve shovinistë që nga Grashanini e deri te Vuqiqi.
Kërkesa për shtyrjen e jetësimit të rregullores së BQK-së, për zhbërjen e strukturave paralele dhe veprimtarive tjetra ilegale, është kërkesë për zvarritjen e funksionimit normal të Shtetit të Kosovës.
Ambasadorë të nderuar, të vendeve mike, koha për adaptim të serbëve me ligjet e Kosovës ka qenë më e gjatë se që realisht është dashur të jetë.
Të nderuar ambasadorë, kërkesa e juaj që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë të arrihet sa më parë, nuk është në harmoni me kërkesën që respektimi i Kushtetutës së Kosovës të shtyhet për më vonë. Është e rëndësishme që marrëveshja të arrihet shpejtë, por më e rëndësishme është që marrëveshja që arrihet edhe të funksionojë.
Marrëveshje, me logjikën e Serbisë që Kosova të bashkëjetoje me strukturat dhe ligjet e Serbisë, brenda saj, nuk mund të ketë, madje edhe nëse ndodh të imponohet një “marrëveshje” e tillë siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën, në këtë vend, në të cilin është derdh shumë gjak për liri dhe barazi me të tjerët, nuk do të funksionoj, ashtu siç nuk ka funksionuar në të kaluarën.
Marrëveshja do të funksionojnë vetëm kur dy shtetet ta njohin njëra tjetrën.