PENSIONOHET PROFESOR, Hajrush Zeqiri, DYZET VITE NË SHËRBIM TË ARSIMIT
Në vitin 1981 Hajrush Zeqiri kishte diplomuar në Fakultetin e Teknologjisë, në drejtimin e Tekstilit, në Universitetin e Zagrebit në Kroaci, ku fitoi gradimin Inxhinier i Tekstilit. Menjëherë pas diplomimit, u regjistrua në Fakultetin e Organizimit dhe Informatikës pranë Universitetit të Varazhdinit në Kroaci të cilin e përfundoi në vitin 1984 .
Të njëjtin vit ai kthehet në Gjilan dhe e mban stazhin e praktikës në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, për të filluar një vit më vonë, punën si mësimdhënës, në Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Gjilan, fillimisht në lëndën e Tekstilit, e që nga viti 1992 në atë të Kibernetikës, në kuadër të Teknologjisë Informative.
Që nga viti 1985, profesor Hajrush Zeqiri, nuk ju nda asnjëherë punës së mësimdhënësit, madje as në vitet më të vështira të zhvillimit të arsimit në Kosovë, në vitet e 90- ta, atëherë kur punonjësit e arsimit përndiqeshin nga sistemi i kohës, ngase kërkonin që nxënësit shqiptar të mësonin në gjuhën e tyre dhe për gjuhën e tyre. Edhe në këto rrethana të vështira, nëpër shtëpitë që ishin improvizuar si shkolla, profesor Hajrush Zeqiri dha kontributin e tij të madh në edukimin e brezave të shumtë, tek të cilët mbolli frymën e atdhedashurisë dhe dëshirën për mësimnxënie.
Kontributi i profesor Hajrush Zeqirit , në fushën e arsimit, zgjerohet edhe më tej, ngase ai u angazhua edhe në hapjen e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Gjilan, kontribuoi në edukimin e brazave në Shkollën e Medreses e po ashtu u angazhua edhe në udhëheqësinë e Këshillit të Prindërve, në shkollën e fshatit të lindjes, në Livoç të Ulët, ku kishin filluar mësimet edhe katër fëmijët e tij, të cilët më pas, të nxitur nga profesori i nderuar, do të përfundonin studimet në fusha të ndryshme, duke filluar nga shkencat ekzakte e deri tek ajo e aeronautikes, pranë aviacionit civil.
Sot , pas 40 viteve mësimdhënie, profesor Hajrush Zeqiri, arrin në stadin e pensionimit, për të shijuar frutet e punës së palodhshme dhe për të kujtuar me krenari kontributin e tij të çmuar në edukimin e brezave të tërë të qytetit të Gjilanit.
Drejtoria e Shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë ‘’Sahit Baftiu’’ në emër të gjithë mësimdhënësve dhe stafit teknik i dëshiron profesorit Hajrush Zeqirit shëndet të mirë, qetësi shpirtërore si edhe shumë vite jetë, në ditëlindjen e 65!
Kolektivi i Shkolles se Mesme te Agrobiznesit dhe Teknologjise “Sahit Baftiu”