Partia Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend.
Anëtarët e Kryesisë kanë përshëndetur votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u miratua Raporti që i hapë rrugë antarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Kryetari Krasniqi ka falënderuar Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), parti ku bën pjesë edhe PDK-ja, për angazhimin e madh në interes të Kosovës në çdo hap të këtij procesi.
PDK beson se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, për të cilën është punuar me vite, i shërben forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Prandaj, PDK u bën thirrje institucioneve të Kosovës që gjatë këtij muaji të lobojnë dhe koordinohen me të gjithë aleatët tanë ndërkombëtarë, që votimi final i Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet në muajin maj, të jetë pozitiv.
Ndërkaq, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, duke parë stagnimin politik dhe ekonomik në vend, e posaçërisht dëmitimin e mirëqenies së qytetarëve, ka shprehur edhe një herë nevojën për zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.
PDK beson se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një Qeveri kredibile, të aftë, e cila përmirëson jetën e tyre dhe zhvillon shtetin – i cili ka më shumë se tri vite që është në stagnim të plotë.
PDK, nga shkurti i këtij viti, me vendim të Këshillit Drejtues, ka nisur mobilizimin e të gjitha strukturave për zgjedhje të reja. Ndërkaq, me 27 mars, Kryetari Memli Krasniqi ka nominuar edhe zyrtarisht Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër të Kosovës. INDEKSONLINE.NET