Si rrjedhojë, qytetarët po paguajnë çmime të ndryshme për barnat e njëjta, varësisht se në cilën farmaci i blejnë ato. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë duke punuar që ligji të gjejë zbatim, derisa qytetarët ngrehin shqetësime edhe për çmimet e larta të ilaçeve.
“I përdori disa barna për eshtra. Të premten ka qenë 13.80 euro, e të hënën kur kam shkuar në barnatore është bërë 15.80 euro”, tha Rexhep Azemi, qytetar.
“Ka shumë dallim në çmime nga barnatorja në barnatore”, shtoi ai.
Nga një barnatore në tjetrën edhe Osman Hazirit i duhet të kontrollojë për barnat që përdor, derisa ato t’i gjejë me çmimin më të ulët.
“Secila barnatore çmimet i ka të ndryshme. Po lypim ku po gjejmë më mirë”, tha Osman Haziri, qytetar.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se Ligji i cili do të bënte unifikimin e çmimit është në fazën e implementimit.
“Pas përfundimit të ri-kalkulimit të çmimeve të produkteve medicinale, do të propozohet lista e çmimeve të produkteve medicinale, i tërë ky proces do t’i nënshtrohet afateve sipas Ligjit të Procedurës Administrative për fazën e ankimimit e deri në finalizimin e listës përfundimtare”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Përfaqësues të kompanive farmaceutike presin që ligji të fillojë të zbatohet nga fundi i këtij viti.
“Presim që deri kah tetori me qenë çmimet zyrtare nëpër barnatoret e Kosovës. Të gjithë ata farmacistë dhe zinxhiri farmaceutik që punojnë me ligj dhe korrekt do të jenë përfitues, e përfitimin më të madh do ta ketë qytetari që do ta kursejë xhepin dhe do t’i marrë barnat më kualitative”, tha Milaim Abdullahu nga Shoqata e Distributorëve të Kosovës.
Ndërsa, anëtarë të Odës së Farmacistëve, ndonëse e kanë mirëpritur këtë, thonë se nga ky ligj mund të dëmtohen barnatoret që kanë më pak qarkullim.
“Disa ankesa kanë qenë me caktimin e çmimeve që ka qenë për produkte. Është formuar komisioni për trajtimin e tyre, por nuk kam informata se çfarë vendimi është marrë apo ku ka mbetur. E di që për momentin është ndalur ecuria e këtij ligji”, tha Fatos Aliu.
Ligji kishte hyrë në fuqi në gusht të 2023-s dhe synon t’i shmang çmimet e ndryshme për produkte të njëjta, si dhe t’i pamundësojë keqpërdorimet me çmimet e barnave./rtk/