Kryeministri Albin Kurti, i kërkoi Bashkimit Evropian që të heqë kufizimet ndaj vendit të tij, duke akuzuar Brukselin për zbutjen e Serbisë në mes të tensioneve rajonale.
“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar – padrejtësisht – dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, tha Kurti për “Politico” në një intervistë në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës javën e kaluar.
BE-ja e sanksionoi Kosovën me masa kufizuese verën e kaluar në përgjigje të një shpërthimi dhune të lidhur me zgjedhjet lokale në veri. Masat në fakt ndaluan disa takime të nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve të BE-së dhe Kosovës, ndaluan projektet e BE-së dhe frenuan rrjedhat e financimit për Kosovën.
Ato erdhën pas një viti me shumë tensione të përshkallëzuara midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat ishin përfshirë në një luftë të përgjakshme më shumë se dy dekada më parë.
Vendimi i BE-së për të vendosur kufizime – të cilat pasqyronin veprime të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara – pasqyroi zhgënjimin në rritje me qeverinë Kurti për trajtimin e zgjedhjeve të diskutueshme në veriun e vendit të dominuar nga serbët. Popullsia serbe bojkotoi zgjedhjet, të cilat rezultuan në zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë etnikë me një pjesëmarrje të vogël. Me ndihmën e policisë, Kosova vendosi kryetarët e komunave në objektet komunale, duke rezultuar në disa muaj me incidente të dhunshme.
Në një lloj përparimi, Kosova dhe Serbia njohën zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës në fillim të këtij muaji – një burim i madh tensioni gjatë vitit të kaluar. BE e përshëndeti masën.
Por nuk ishte e mjaftueshme që Brukseli të rimendonte kufizimet e tij ndaj Kosovës.
“BE-ja ka bërë kërkesa specifike për deskalim në Kosovë dhe ato i janë komunikuar qartë dhe në mënyrë të përsëritur palës kosovare”, tha një zëdhënës i agjencisë së politikës së jashtme të BE-së, EEAS. “Këto masa janë të kthyeshme – por Kosova ende nuk i ka përmbushur plotësisht ato kërkesa”.
Kërkesat e BE-së përfshinin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një plan që daton që nga viti 2013, së bashku me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet në komunat me shumicë serbe në veri mund të mbahen brenda pak muajve të ardhshëm.
Kurti tha për “Politico” se qeveria të cilën ai e drejton është e përkushtuar që të mbajë zgjedhje shpejt.
“Mund të jenë këtë vit – në disa muajt e ardhshëm”, tha ai, ndërsa shtoi se nënshkrimet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote do të nevojiten për të nisur procedurën – një proces që është duke u zhvilluar.
“Politico” shkruan se muajin e kaluar, mbi 10 vende evropiane i kërkuan shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell të heqë kufizimet politike dhe ekonomike ndaj Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Por BE-ja ende nuk ka lëvizur, “me kontakte minimale midis Brukselit dhe Prishtinës”.
Më tej, ky medium shkruan se BE-ja është përmbajtur nga vendosja e masave kundër Serbisë, pavarësisht shqetësimeve të përhapura për zgjedhjet e muajit të kaluar në vend. Brukseli dënoi “përfshirjen vendimtare” të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Kurti tha gjithashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO – edhe pse katër anëtarë të aleancës ende nuk e kanë njohur shtetin. “Ne duam t’i bashkohemi NATO-s dhe momenti i parë historik do të ishte Partneriteti për Paqe”, tha Kurti, duke iu referuar një programi që lejon bashkëpunimin mes NATO-s dhe vendeve joanëtare.
“Politico” shkruan se qeveria e Kurtit ka rritur shpenzimet e mbrojtjes – pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb, tha ai. Kosova kohët e fundit bleu drone “Bayraktar” nga Turqia dhe do të marrë raketa antitank “Javelin” nga ShBA-ja – lëvizje që Serbia pritet t’iu kundërpërgjigjet.
NATO dërgoi së fundmi 130 trupa shtesë për të përforcuar misionin e saj në Kosovë. Indeksonline.net