Iu dha lamtumira e fundit doajenit të gazetarisë gjilanase, Hasan Bunjakut
Sot, i është dhënë lamtumira e fundit, doajenit të gazetarisë, Hasan Bunjakut, i cili ndërroi jetë një ditë më parë, në moshën 80-vjeçare. Trupi i të ndjerit, nga sot e tutje, do të prehet i qetë në varrezat e Qytetit të Gjilanit, ku është varrosur me nderimet e bëra nga familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë e qytetarë të tjerë.
Pas ceremonisë fetare, për jetën, veprën dhe krijimtarinë e Hasan Bunjakut, ka folur dr. Faik Shkodra.
Ai ka thënë se Gjilani, por edhe mbarë Kosova, gazetaria, publicistika dhe letrat shqipe, kanë humbur një njeri të madh, të atillë çfarë ishte gazetari e letrari Hasan Bunjaku, i cili me krijime letrare e publicistike është shquar që nga mosha rinore e deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Shkodra, ndër tjerash ka përmendur edhe veprën e fundit letrare të të ndjerit “Një gjakim i pafat”, ku ai ka shkruar për historinë e një familjeje, por edhe historinë nëpër të cilën kaloi populli i Kosovës.
Familja Bunjaku ka bërë me dije se mbanë derën e hapur për ngushëllime treditore afër shtëpisë prej ku është nisur trupi i pajetë i gazetarit me emër në Kosovë e më gjerë, Hasan Bunjaku. /2LONLINE/